Në një kohë kur aeroportet europiane po përballen me radhë të gjata dhe vonesa për shkak të zbatimit të sistemit të ri të hyrje-daljeve (EES), por edhe infrastrukturës së pamjaftueshme dhe kontrolleve të shtuara, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po ndjek një model krejt të kundërt.

Në Tiranë, procesi i identifikimit të udhëtarëve është automatizuar në nivele të larta.

Çdo qytetar që hyn në Shqipëri mjafton të vendosë pasaportën në sistemet automatike dhe verifikimi përfundon brenda pak sekondash, pa krijuar radhë apo vonesa.

E njëjta procedurë aplikohet edhe në dalje për qytetarët e Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, ndërsa numri i lartë i sporteleve dhe kontrollorëve bën që fluksi të menaxhohet pa bllokime.

Ky model është vlerësuar edhe ndërkombëtarisht. Gazetari britanik Richard Quest, në një raportim për CNN, e cilësoi eksperiencën në Tiranë si një nga më efikaset në rajon.

“Unë sapo jam kthyer nga Tirana, që ka një aeroport të mrekullueshëm. M’u deshën vetëm 5 sekonda për procesin e identifikimit. Vendosa pasaportën dhe kalova menjëherë”, u shpreh ai, duke e krahasuar me situatën problematike që po përjetojnë aktualisht aeroportet europiane.

Investimet e Kastrati Group gjatë viteve të fundit në Tirana International Airport (TIA) kanë modernizuar infrastrukturën dhe kanë rritur kapacitetet për përpunimin e pasagjerëve.

Paralelisht, rritja e numrit të linjave ajrore, veçanërisht kompanive low-cost si Ryanair dhe Wizz Air, e ka kthyer Tiranën në një pikë kyçe për udhëtarët në rajon.

Me çmime konkurruese dhe destinacione të reja që shtohen vazhdimisht, aeroporti po tërheq jo vetëm pasagjerë shqiptarë, por edhe udhëtarë nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Në kontrast me problemet që po shfaqen në shumë aeroporte të BE-së, rasti i Tiranës po shihet si një shembull se si investimi në teknologji dhe organizim mund të përkthehet në shërbim më të shpejtë dhe efikas për udhëtarët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds