Parlamenti i Izraeli, Knesset, ka miratuar një ligj të ri që parashikon dënimin me vdekje dhe zhvillimin e gjyqeve publike për personat e përfshirë në sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023 dhe në marrjen masive të pengjeve. Legjislacioni u miratua me 93 vota pro dhe asnjë kundër, ndërsa 27 deputetë munguan ose abstenuan. Projektligji mori mbështetje të gjerë si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita izraelite.
Yulia Malinovsky, bashkë-sponsorizuese e projektligjit, deklaroi para votimit se qëllimi është që viktimat dhe familjet e tyre të përballen drejtpërdrejt me autorët e sulmeve. “Do të doja që të gjithë të mund të shihnin se si viktimat dhe familjet e tyre i shohin në sy këta vrasës, përdhunues dhe rrëmbyes”, u shpreh ajo, duke shtuar se Izraeli duhet të tregojë se është “një shtet sovran që di të mbajë përgjegjës ata që e kanë dëmtuar”. Ligji i ri krijon një kuadër të posaçëm për gjykimin e personave të akuzuar për pjesëmarrje direkte në sulmet e 7 tetorit, përfshirë anëtarë të njësisë elitare Nukhba të Brigadave Al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, të arrestuar nga autoritetet izraelite.
Të pandehurit pritet të përballen me akuza për terrorizëm, vrasje, dhunë seksuale dhe gjenocid, vepra që sipas legjislacionit të ri mund të ndëshkohen me dënim kapital. Gjyqet do të zhvillohen para një gjykate speciale ushtarake në Jeruzalem dhe disa nga seancat kryesore do të transmetohen publikisht në një platformë të dedikuar online.
Politikanët që mbështesin ligjin e kanë krahasuar procesin me gjyqin ndaj Adolf Eichmann, një prej organizatorëve të Holokaustit, i cili u ekzekutua në vitin 1962, duke mbetur i vetmi person i dënuar me vdekje nga një gjykatë civile izraelite. Ndërkohë, organizatat izraelite të të drejtave të njeriut kanë kundërshtuar ligjin, duke paralajmëruar për rrezikun e “gjyqeve të simuluara” dhe përdorimin e rrëfimeve të marra nën torturë. Aktivistët kërkojnë që të akuzuarit të kenë procese të rregullta ligjore dhe kundërshtojnë vendosjen e dënimit me vdekje.
Sulmi i 7 tetorit 2023 konsiderohet dita më e përgjakshme në historinë e Izraelit. Sipas autoriteteve izraelite, militantët e Hamasit vranë mbi 1,200 persona dhe rrëmbyen 251 të tjerë në jug të vendit. Lufta që pasoi në Rripi i Gazës ka shkaktuar mbi 72 mijë viktima, shumica gra, fëmijë dhe të moshuar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
