Ish-zyrtari amerikan Rubin rrëfeu për takimin e tij me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë për Kosovën. Ai tha se Thaçi e kishte njohur përmes televizionit, pasi ai ishte zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit. Sekretarja Madeleine Albright e kishte inkurajuar që të bisedonte me Thaçin dhe të krijonte një lidhje të drejtpërdrejtë me të.
“Ne donim të dinim më shumë për udhëheqësin e delegacionit. Ajo më tha: ‘Njihu me të. Ndihmoje që të arrijë në vendimin e duhur’. Dhe kështu bëra”, tha Rubin. Ai shtoi se gjatë takimeve përpiqej të kalonte sa më shumë kohë me Thaçin, duke ecur bashkë dhe duke diskutuar çështjet e rëndësishme.
Në atë kohë, Thaçi nuk fliste anglisht, ndaj Rubin shpjegoi se shpesh përdorej gjuha e trupit dhe se përkthyesit diplomatikë ishin të pranishëm gjatë bisedimeve. Rubin tha se, atëkohë, kishte një kontratë me Qeverinë e Kosovës për të përfaqësuar përpjekjet e Thaçit për të arritur paqe me Serbinë. “Unë isha shumë i gëzuar që ta shoh”, tha Rubin, duke kujtuar momentin e takimit. Ai shtoi se përpjekjet e tyre synonin të sillnin paqe mes Kosovës dhe Serbisë dhe të siguronin njohje të ndërsjellë mes dy vendeve.
“Pikërisht këtë synova në punën time me të – t’i jepnim fund konfliktit, të sillnim paqe e stabilitet në rajon dhe të arrihej njohja e Kosovës dhe njohja e Serbisë si dy shtete të pavarura, që jetojnë në paqe dhe siguri. Ky do të ishte një përfundim i bukur i një historie mjaft të dhimbshme”, tha Rubin.
