Një ndryshim i dukshëm po vihet re në qytetet kryesore të Iranit, ku patrullat e njohura si “policia e moralit” janë zhdukur pothuajse plotësisht nga rrugët, ndërsa gjithnjë e më shumë gra po lëvizin pa hixhab, pavarësisht se ligji që e bën atë të detyrueshëm mbetet ende në fuqi.
Banorë të Teheranit thonë se kontrollet janë zbutur ndjeshëm dhe se gratë tashmë mund të vishen sipas dëshirës në shumicën e hapësirave publike, pa u ndaluar nga autoritetet.
Ndryshimi vjen pas protestave masive të lëvizjes “Grua, Jetë, Liri”, të shpërthyera në vitin 2022 pas vdekjes së Mahsa Aminit, si dhe pas tensioneve të fundit që kanë përfshirë vendin. Analistët besojnë se autoritetet iraniane kanë zgjedhur të zbusin zbatimin e ligjit për të shmangur protesta të reja dhe për të ulur pakënaqësinë sociale.
Aktivistët për të drejtat e grave theksojnë se, edhe pse represioni është reduktuar, ligji për hixhabin nuk është ndryshuar. Sipas tyre, qeveria po toleron një realitet të ri në shoqëri, pa hequr dorë zyrtarisht nga rregullat ekzistuese.
Megjithatë, kufizimet vazhdojnë në disa zona konservatore dhe në institucione fetare, ku grave ende u kërkohet të mbulojnë flokët. Ndërkohë, shumë iraniane besojnë se ndryshimi është tashmë i pakthyeshëm dhe se presioni i shoqërisë do të vazhdojë të zgjerojë hapësirën e lirive personale./REL
