Mitropolia e Shenjtë e Beratit, Vlorës dhe Kaninës ka njoftuar ndarjen nga jeta të At Mikail Shulit, prift i Kishës së Shën Athanasit në Karavasta.

Përmes një njoftimi, Mitropolia shpreh keqardhjen për humbjen e klerikut, i cili për më shumë se 30 vite i shërbeu me përkushtim komunitetit të krishterë në zonën e Karavastasë dhe Myzeqesë.

At Mikail Shuli kreu studimet në Seminarin Teologjik të Kishës gjatë viteve 1992–1995. Ai u hirotonis dhjakon në vitin 1994 dhe prift në vitin 1996 nga Kryepiskopi i ndjerë Anastas.

Shërbesa e përcjelljes do të zhvillohet ditën e premte, më 27 nëntor 2026, në orën 12:00, në Kishën e Shën Athanasit në Karavasta.

Njoftimi i plotë i Mitropolisë:

“Mitropolia e Shenjtë e Beratit, Vlorës dhe Kaninës, me keqardhje, por me shpresën e Ngjalljes dhe të Jetës së Përjetshme, njofton ndarjen nga jeta të At Mikail Shulit, prift i Kishës së Shën Athanasit në Karavasta. At Mikaili kreu studimet në Seminarin Teologjik të Kishës sonë gjatë viteve 1992–1995. U hirotonis dhjakon në vitin 1994 dhe prift në vitin 1996, nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i ndjerë Anastas.

Për më shumë se 30 vjet, ai i shërbeu me devotshmëri grigjës së Krishtit në zonën e Karavastasë dhe të Myzeqesë, duke përmbushur me përkushtim misionin e tij priftëror.

Shërbesa e përcjelljes do të kryhet në Kishën e Shën Athanasit, në Karavasta, ditën e premte, datë 27.11.2026, në orën 12:00. I përjetshëm qoftë kujtimi i shërbëtorit të Perëndisë, Atë Mikailit!”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *