Një i dënuar 69-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë të papritur në burgun e Fierit, si pasojë e një arresti kardiak.

Sipas njoftimit zyrtar, viktima është shtetasi Luan Bundo, i lindur më 1 korrik 1957 në Tiranë, i dënuar me 10 vite burg për veprat penale “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “mashtrim”. Ai vuante dënimin në IEVP Fier që prej datës 6 gusht 2021, i transferuar nga institucioni “Jordan Misja”, ku i kishin mbetur për të vuajtur edhe 4 vite e 11 muaj.

Autoritetet bëjnë me dije se 69-vjeçari vuante nga disa sëmundje të rënda shoqëruese, përfshirë probleme neurologjike dhe kardiovaskulare, diabet mellitus dhe hipertension arterial, të cilat dyshohet se kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.

Mëngjesin e datës 22 prill 2026, ai është evidentuar me probleme shëndetësore në ambientet e burgut. Pas dhënies së ndihmës së parë, është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Fierit. Rreth orës 08:20, mjekët konfirmuan vdekjen e tij, duke dyshuar arrest kardiak. Më pas trupi është dërguar në morg. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Ky është rasti i gjashtë i raportuar nga Drejtoria e Burgjeve që nga fundi i muajit janar, ku të dënuar kanë humbur jetën, kryesisht për arsye shëndetësore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *