Një tragjedi ka pllakosur kryeqytetin e SHBA-së, Washington ku një avion pasagjerësh me 64 persona në bord u përplas gjatë natës me një helikopter ushtarak amerikan, e ra në lumin Potomac. Bilanci i fatkeqësisë është tragjik: raportet në media tregojnë se ende nuk dihet nëse ka të mbijetuar e deri tani, thuhet të jetë nxjerrë nga uji një duzinë trupash.

 Si trupi i avionit, ashtu edhe ai i helikopterit janë në një pozicion aspak të qëndrueshem, sipas zhytësve profesionistë. Shkaqet e atij që sekretari amerikan i mbrojtjes Pete Hegseth e përshkroi si një aksident “absolutisht tragjik”, janë ende të panjohura: mes hiporezave të ngritura është ajo e një gabimi njerëzor ose një problemi teknik, teksa FBI-ja ka përjashtuar që në fillim mundësinë që të bëhet fjalë për një “akt terrorizmi”.

Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni ishte i tipit Bombardier i American Airlines që vinte nga Wichita,në Kansas. Një zëdhënës i ushtrisë amerikane konfirmoi se helikopteri ishte një variant Sikorsky H-60, Blackhawk. Sipas një zyrtari të qeverisë amerikane, brenda kishte tre ushtarë. Meqenëse politikanët dhe zyrtarët e lartë ushtarakë udhëtojnë shpesh me helikopterë mbi kryeqytetin amerikan, zyrtari e bëri të qartë se në bord nuk kishte asnjë person të njohur. Helikopteri ishte duke kryer një fluturim stërvitor.

 Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha se ishte informuar mbi atë që e cilësoi “një aksident të tmerrshëm” dhe se po e mbikëqyrte situatën. “Zoti i bekoftë shpirtrat e tyre”, shtoi ai. “Faleminderit të gjithë ekipeve të emergjencave për punën e jashtëzakonshme që po bëjnë. Po e ndjek situatën dhe do të jap hollësi sapo të jetë e mundur”. Nuk ka pasur një aksident fatal me avion pasagjerësh në SHBA që nga shkurti i vitit 2009, por një sërë incidentesh në vitet e fundit kanë ngritur shqetësime për sigurinë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds