Koncerti i Kanye West, me 11 korrik, po e fut Tiranën për herë të parë në hartën e kryeqyteteve që presin evente të këtij niveli.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u shpreh sot  në rrjetet sociale se koncerti nuk është thjesht një show apo aktivitet muzikor. Ai përfaqëson një test të rëndësishëm e strategjik për kapacitetin organizativ të Shqipërisë dhe një mundësi reale për të konsoliduar Tiranën si një mundësi dhe si një destinacion të eventeve ndërkombëtare e të tilla përmasave.

“Në ekonominë moderne të eventeve, suksesi i një koncerti nuk matet vetëm me të ardhurat nga biletat, por me ndikimin që krijon në të gjithë ekonominë e qytetit/vendit pritës”, shkroi Gonxhja.

Më tej ai renditi shembuj ndërkombëtarë të kohëve të fundit, të cilët tregojnë se ekonomia e një koncerti nuk përfundon te bileta, pasi çdo vizitor konsumon shërbime akomodimi, ushqimi, transporti, argëtimi dhe viziton atraksione turistike.

Ministri Gonxhja solli shembujt nga Los Angeles, Stambolli dhe Madridi, duke veçuar rastin e Turqisë, ku, edhe pse eventi rezultoi me fitim u financua me fond publik 4.5 milionë euro, si një politikë mbështetjeje.

-Los Angeles – Dy koncertet e Ye në SoFi Stadium gjeneruan rreth 33 milionë dollarë të ardhura direkte nga biletat, duke u renditur ndër eventet me fitimin më të lartë të zhvilluara ndonjëherë. Përfitimet për qytetin shkuan shumë përtej stadiumit, në rreth 90 milionë dollarë duke aktivizuar hotelerinë, transportin, restorantet dhe ekonominë lokale.

-Stambolli – Koncerti i Ye në Atatürk Olympic Stadium mblodhi 118,000 spektatorë, një rekord si pjesëmarrje që gjeneroi rreth 24 milionë euro të ardhura si event, me ndikim ekonomik që u vlerësua në deri në 100 milionë euro, falë fluksit të turistëve, netëve të qëndrimit, konsumit në bizneset lokale dhe shërbimeve të lidhura me eventin.

-Madridi – Për koncertin e vetëm të Ye në Spanjë pritet një ndikim ekonomik deri në 49 milionë euro, mbi 3,000 vende pune të përkohshme, rreth 68,000 spektatorë, ku më shumë se 60% pritet të jenë vizitorë ndërkombëtarë. Edhe këtu, pesha kryesore e ndikimit ekonomik nuk vjen vetëm nga biletat, por nga turizmi, hoteleria, qeratë, gastronomia, transporti dhe tregtia.

Kreu i MTKS-së shpjegoi se në Eagle Stadium, janë angazhuar në një hark 2-mujor rreth 3,500 punonjës, me profesionistë e ekipe teknike, ndërsa 24 orë para eventit Tirana është e tëra e rezervuar sa i takon hoteleve dhe apartamenteve të pasqyruara në platformat e ndryshme online.  Miliona euro i rikthehen buxhetit qendror e vendor nga taksat direkte, duke e bërë çdo financim publik në këtë industri një investim me leverdi por edhe duke rritur qarkullimin dhe të ardhurat për tërë subjektet lokale, përtej përfitimeve të tjera afatgjata.

“Nëse Tirana arrin të organizojë me sukses këtë event, përfitimi më i madh nuk do të jetë vetëm ai social, argëtues apo ekonomik i një nate. Do të jetë besueshmëria ndërkombëtare që fiton kryeqyteti dhe Shqipëria”, theksoi ministri Gonxhja, duke ftuar që ngjarje të tilla të mos shihen përmes prizmit të debatit politik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds