Gjykata e Posaçme ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën e biznesmenit Gentian Sula, për heqjen e sekuestros nga apartamenti 81 metra katrorë pranë institucionit të Gardës në kryeqytet. Sulës iu sekuestrua apartamenti si pronë e ish-kryebashkiakut të arrestuar të Himarës, Jorgo Goros. Sipas SPAK, kjo ishte një pronë e fshehur dhe e padeklaruar nga ish-kryebashkiaku i Himarës, por Sula pretendon se apartamenti është i tij dhe ia kishte lënë në përdorim Goros.
Sula bëri kërkesë në GJKKO-së për heqjen e sekuestros dhe u rrëzua pasi u shqyrtua nga gjyqtari Ardit Mustafaj. Prokuroria ka kërkuar për Jorgo Goron një dënimin me 3 vite burg si dhe konfiskimin e apartamentit në fjalë. Goro akuzohet për “shpërdorim detyre” në 2 raste, si dhe fshehje dhe mosdeklarim pasurie.
Sula është në mesin e biznesmenëve që janë nën hetim në dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe dyshohen si përfitues të tenderave nga Bashkia e Tiranës. Ndaj tij GJKKO caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitje.