Me shqetësim të madh po e ndjek qeveria dhe opinioni grek ngjarjen e një dite më parë në ishullin Lefkada në Detin Jon, ku një dron detar ukrainas u gjet në një shpellë të brigjeve të ishullit.

Sipas informacioneve të fundit të Top Channel, në brendësi të mjetit lundrues u gjet një sasi 30-60 kg dinamit TNT, i cili ishte gati për t’u shpërthyer, me gjasa në një anije të flotës sekrete ruse që lundronte në zonë dhe po transportonte naftë me drejtim një port italian.

Ende nuk bëhet publike se për kë anije bëhet fjalë, por dyshimet janë se anija në fjalë ndodhej në zonë një ditë më parë.

Ekspertët thanë se droni ka teknologji të inteligjencës artificiale dhe se u strehua në shpellë pikërisht pasi u pikas prej peshkatarëve grekë, të cilët në vazhdim e lidhën dhe e rimorkiuan në portin e Vasilikisë në Lefkadha.

Kjo bëri që droni të mos shpërthente mbi objektivin e tij, por tashmë duket se ka hapur një konflikt të rëndë diplomatik mes Greqisë dhe Ukrainës, ambasadorit të të cilës i është kërkuar me urgjencë të japë shpjegime lidhur me operacionin ushtarak të paautorizuar prej autoriteteve ushtarake greke.

Ndërkohë, autoritetet greke po hetojnë se nga u lëshua droni, ishte një anije që kaloi në zonë, apo nga toka në bordin e një kamioni.

Dyshimet janë më të mëdha se u lëshua nga bordi i një anijeje që u nis para disa ditësh nga Shqipëria dhe u mbyt në mënyrë misterioze në afërsi të ishullit të Andros në Greqi.

Gjatë dy ditëve të fundit (dje dhe pardje) në anijen e mbytur janë dërguar zhytës të shërbimeve sekrete dhe ushtrisë greke nën dyshimin se anija transportonte armë me destinacion Ukrainën, ndërsa gjetja e dronit pikërisht në zonën ku anija që më pas u mbyt kishte kaluar plotëson një tjetër pjesë të hetimeve të shërbimeve sekrete greke për rastin.

Nëse droni do të shpërthente, do të krijonte një dëm të madh ekologjik në një prej zonave më turistike në Mesdhe dhe njëkohësisht do të shkelte rëndë sigurinë kombëtare greke, vend i cili ka rol kyç në armatosjen e Ukrainës me armë, por edhe me furnizimin jetik të Ukrainës me gaz dhe karburante.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds