Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier merr të pandehur dhe dërgon në gjyq shtetasit Sh.K. dhe P.P. për kryerjen e veprës penale të ‘Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës’.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, dërgoi çështjen në gjyq pasi nëpërmjet metodave speciale të hetimit u arrit të provohej se, i pandehuri P.P. ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tregtimin në datë 18.12.2023, tek agjentët nën mbulim, të objekteve të ndryshme që përbëjnë pasuri kulturore materiale, pa qenë i licencuar nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Në kryerjen e këtij aktiviteti të paligjshëm, i pandehuri P.P. është ndihmuar nga i pandehuri tjetër, Sh.K. Të pandehurit P.P. i janë sekuestruar pasuri kulturore materiale të luajtshme:
Pushkë/revole – objekti i përket shekullit XVIII-XIX,
Ikonë “Lindja e Krishtit” – e fazës përmbyllëse të pikturës pasbizantine;
Portret “Eros” –koka e një fëmije; skulptura me mermer të bardhë.
Epitaf “Vajtimi i mbivorrshëm” –me material tekstili dhe qëndisje, ndërsa figurat e shenjtorëve janë të realizuara me metal.
Në përfundim të gjykimit Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka vendosur deklarimin fajtor të të pandehurve P.P. dhe Sh.K. për akuzat që u atribuoheshin.
Në vijim, Prokuroria Fier shpreh angazhimin për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër pasurisë dhe trashëgimisë kulturore.