Operacioni policor i koduar “Fast Reaction”, bashkëpunim ndërmjet Policisë së Fierit me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadën italiane në Tiranë, arreston 27-vjeçarin që dhunoi bashkëjetuesen italiane, në banesën e tij në Cakran, ku e mbante prej disa ditësh pa dëshirën e saj.
Autori, me precedent kriminal, për dhunë në familje dhe për vjedhje u kap në tentativë për t’u larguar, me automjet të marrë me qira.
Pas njoftimit të Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës italiane në Tiranë dhënë Departamentit të Policisë Kriminale se një shtetase italiane mbahej pa dëshirë, në një banesë në fshatin Cakran, nga bashkëjetuesi i saj, i cili dhe e dhunonte, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, të mbështetura nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacione dhe të koordinuara nga strukturat përfaqësuese të Italisë për sigurinë në Shqipëri, kanë organizuar punën dhe janë nisur menjëherë në drejtim të zonës së sinjalizuar.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale policore, të realizuara në kuadër të operacionit “Fast Reaction”, u kap në tentativë për t’u larguar nga banesa, me një automjet të marrë me qira, autori i dyshuar i rastit, shtetasi A. I., 27 vjeç.
Shtetasja italiane iu dorëzua autoriteteve të Konsullatës së Italisë në Shqipëri dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjithashtu një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Divjakë, ku një adoleshente 17 vjeçe, banuese në Divjakë, dyshohet se ka konsumuar fotoksinë dhe për pasojë ka ndërruar jetë. Specialistët e Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori për vlerësim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.