Interpoli ka lëshuar një “njoftim të kuq” për arrestimin e 39-vjeçares Anastasia Berezovskaya, e dyshuar për përfshirje në shpërthimin me bombë në Monako këtë javë, i cili plagosi rëndë biznesmenin me origjinë ukrainase dhe dy anëtarë të familjes së tij.

Sipas autoriteteve, e dyshuara është një grua ukrainase që jeton në Gjermani dhe dyshohet se ka vepruar e maskuar si burrë gjatë kryerjes së sulmit. Interpoli e përshkruan atë si gjermanishtfolëse, me flokë të errët dhe me një tatuazh me gjarpër në krahun e djathtë, nga shpatulla deri në bërryl.

“Njoftimi i kuq” i Interpolit është një kërkesë ndërkombëtare për lokalizimin dhe arrestimin e një të dyshuari, ndërsa Berezovskaya kërkohet nga autoritetet e Monakos për tentativë vrasjeje, vendosje të një pajisjeje shpërthyese në një vend publik me qëllim kriminal dhe pjesëmarrje në një komplot kriminal.

Policia gjermane konfirmoi se ka kontrolluar banesën dhe automjetin me qira të 39-vjeçares, duke sekuestruar prova që do t’u dorëzohen autoriteteve të Monakos. Megjithatë, ajo mbetet ende në arrati.

Zëvendësprokurori i Monakos, Morgan Raymond, deklaroi se e dyshuara jetonte në Gjermani dhe se, për shkak të kompleksitetit të pajisjes shpërthyese dhe mënyrës së organizuar të sulmit, hetuesit dyshojnë se ajo mund të mos ketë vepruar e vetme.

Dy persona u arrestuan më herët gjatë javës në Monako, por u liruan pasi nuk u gjetën prova që i lidhnin me ngjarjen.

Sipas hetimeve, autorja e dyshuar ka vendosur një pako shpërthyese në hyrje të një pallati apartamentesh në Monako, pranë kufirit me Francën, të hënën në mbrëmje. Pak minuta më vonë, rreth orës 21:00 me orën lokale, pajisja shpërtheu teksa tre persona, një çift dhe një fëmijë 13-vjeçar hynin në ndërtesë.

Autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht identitetet e viktimave, por burime policore dhe gjyqësore raportojnë se mes tyre është 58-vjeçari Vadim Yermolaev, biznesmen me origjinë ukrainase dhe shtetësi qipriote, si dhe partnerja dhe djali i tij.

Sipas prokurorisë, sulmi dyshohet të jetë kryer nga distanca në momentin kur viktimat iu afruan hyrjes së ndërtesës. Autorja më pas është larguar nga Monako drejt Francës dhe më pas në Gjermani, duke kaluar në disa vende evropiane, përfshirë Italinë.

Fillimisht, hetuesit kishin dyshuar për një burrë të veshur me rroba të errëta, por analizat e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë çuan në përfundimin se bëhej fjalë për një grua të maskuar.

Fotot e publikuara në kuadër të “njoftimit të kuq” tregojnë një grua me bluzë me vija, ndërsa në njërën prej tyre ajo shihet duke mbajtur një pajisje elektronike me kabllo në dorë.

Sipas burimeve gjyqësore, e dyshuara është lokalizuar më vonë në Frankfurt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds