Fundi i një epoke. Pas 28 vitesh së bashku, Inter dhe Piero Ausilio duket se janë gati t’i thonë lamtumirë njëri-tjetrit. Ajo që i jep fund kësaj lidhjeje të gjatë mes drejtuesit nga Cinisello dhe zikaltërve është pikërisht kontrata që skadon në 2027 me palët që nuk kanë gjetur marrëveshjen për rinovimin e saj.
Piero Ausilios iu propozua rinovim njëvjeçar me të njëjtat shifra si në kontratën aktuale, një ofertë që nuk e ngrohu Drejtorin Sportiv të Interit që tani është gati të largohet në përfundim të sezonit.
Një jetë e kaluar te Interi: nga sekretar i ekipeve të moshave deri në rolin e Drejtorit Sportiv të skuadrës së parë, duke përjetuar ulje-ngritje dhe madje edhe 3 ndryshime në pronësi të klubit, Ausilio arriti të ngjisë shkallët e piramidës zikaltër. Dhe për këtë foli gjithnjë puna e tij. I rritur nën hijen e Marco Branca, Piero Ausilio u bë Drejtori Sportiv i Interit në vitin 2014. Që nga ky moment ai ka fituar 3 tituj të Serie A, 3 Kupa të Italisë dhe 3 Superkupa Italiane. Interi aktual, që prej vitesh konsiderohet si skuadra më e mirë e Italisë, është krijesa e tij.
Janë të shumta goditjet në merkato të Interit që mbajnë firmën e tij dhe që janë pjesë e historisë zikaltër; nga Lautaro Martinez te Barella duke kaluar te Bastoni, Thuram e shumë të tjerë. Shpesh Ausilio ka ditur të manovrojë edhe në situata të komplikuara në nivel ekonomik. Interi në 10 vitet e fundit është vazhdimisht në majën e futbollit italian dhe evropian pa pasur në dispozicion buxhetin e shumë klubeve të tjerë.
