Në Shqipëri mjaft fermerë po hasin vështirësi në shitjen e grurit të sivjetshëm, se çmimi me të cilin po e shesin aktualisht mbulon vetëm gjysmën e kostove që kanë shpenzuar për prodhimin e tij. Ata kanë kërkuar ndihmën e shtetit për t’u gjetur treg, ndërsa ekspertët këshillojnë që Shqipëria të zbatojë një ligj të ngjashëm si Maqedonia e Veriut, ku shteti ndërhyn duke blerë në treg tepricat e prodhimit kur çmimi bie nën mesataren mujore të shitjes së këtij produkti. Ligji në Maqedoni parashikon se çmimet e blerjes së grurit miratohen nga qeveria me propozim të Ministrisë, bazuar te shpenzimet mesatare për 1 kg grurë. Ndërsa çmimi i tregut është çmim mesatar mujor i grurit në tregjet e Maqedonisë së Veriut. Në ligj thuhet se nëse çmimi i tregut të grurit është më i lartë se shpenzimet mesatare prodhuese nuk bëhet grumbullimi nga shteti. Modeli i Maqedonisë së Veriut u propozua që të zbatohej edhe në Shqipëri me nismën e Sindikatës së Fermerëve. Por, propozimi i tyre u refuzua nga deputetët. Drafti propozonte që në varësi të ministrit përgjegjës për Bujqësinë të krijohet një Agjenci e cila do të ketë objekt kryesor aktivitetin, studimin e tregut bujqësor, orientimin e fermerëve dhe publikimin e materialeve informuese për ta.