CEO i “Bankers Petroleum” Hongping Xiao dhe ish-drejtori Leonidha Çobo, kanë kërkuar ndryshim mase në GJKKO. Bëhet me dije se përmes avokatëve të tyre, Çobo dhe CEO kinez kanë kërkuar informacion edhe për hetimet dy mujore dhe zëvendësim të masës së sigurisë. Hongping Xiao dhe Leonidha Çobo ndodhen në burg që nga muaji korrik.
Prokuroria e Fierit gjithashtu shpalli moskompetencë për dosjen e Bankers dhe e transferoi në Prokurorinë e Posaçme pasi gjatë hetimeve disa mujore dolën në dritë elementë të rinj që kanë të bëjnë me veprën penale të korrupsionit, që përfshijnë zyrtarë të lartë, si edhe grup të strukturuar kriminal.
Drejtuesi i Bankers Hongping Xiao dhe ish-drejtori i përgjithshëm, Leonidha Çobo, u arrestuan nën akuzat e mashtrimit, pastrimit të parave dhe abuzimit me detyrën ndërsa 4 persona u shpallën në kërkim. Sipas prokurorisë, drejtuesit e Bankers akuzohen se kanë fryrë shpenzimet e kompanisë përmes transferimit të parave në palë të lidhura apo me kontrata të dyshimta, gjë që ka sjellë nxjerrjen e kompanisë më humbje dhe mospagesën e tatimit mbi fitimin në buxhetin e shtetit.
Sipas ligjit aktual, kompanitë e naftës mundet të arrijnë marrëveshje me autoritetet shqiptare me qëllim që të nxjerrin naftë në operacione private, por në këtë rast, tatimi mbi fitimin është në masën 50%. Që nga themelimi në vitin 2004, kompania ka shitur naftë me vlerë 532 miliardë lekë ndërsa ka deklaruar shpenzime në masën 684 miliardë lekë, duke i shtyrë prokurorët të pyesin se cili është motivimi që pronarët e kompanisë vijojnë operacionet kur kompania del në vijimësi me humbje si dhe të ngrenë dyshime nëse pronarët, të cilët mbeten të panjohur, kanë gjetur mënyra alternative për të transferuar fitimet nga kompania.
