Marius Borg Høiby, djali 29-vjeçar i Princeshës së Kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, është dënuar me katër vite burg pasi u shpall fajtor për dy akuza për përdhunim.
Vendimi u dha nga Gjykata e Qarkut të Oslos, ku trupi gjykues e shpalli fajtor Høibyn për dy raste përdhunimi dhe për disa vepra të tjera penale, ndërsa e liroi nga dy akuza të tjera të ngjashme për mungesë provash të mjaftueshme.
Prokuroria kishte kërkuar një dënim prej shtatë vitesh e shtatë muajsh burg, ndërsa mbrojtja kishte argumentuar për një dënim maksimal prej 18 muajsh. Avokatët e tij pritet të shqyrtojnë mundësinë e apelimit të vendimit.
Sipas gjykatës, një nga rastet për të cilat ai u shpall fajtor daton në vitin 2018 dhe ka ndodhur në pronën mbretërore në Skaugum, ndërsa rasti i dytë lidhet me një ngjarje të ndodhur në Oslo në vitin 2024.
Høiby u shpall gjithashtu fajtor për abuzim ndaj ish-partneres së tij, influencueses norvegjeze Nora Haukland.
29-vjeçari nuk është anëtar i familjes mbretërore, megjithëse u rrit pranë saj pasi nëna e tij, Princesha e Kurorës Mette-Marit, u martua me Princin e Kurorës kur ai ishte vetëm katër vjeç.
Çështja ka tërhequr vëmendje të madhe në Norvegji edhe për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të Mette-Marit, e cila vuan nga fibrozë pulmonare dhe është vendosur në listën e pritjes për transplant të mushkërive. Mbrojtja kishte kërkuar lirimin e tij nga paraburgimi për t’i qëndruar pranë nënës gjatë trajtimit të saj.
