Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj intervistës së kryeministrit Edi Rama për “Financial Times”, duke e akuzuar atë për përdorim të një gjuhe të papranueshme në një media ndërkombëtare.

Gjatë konferencës për mediat, Berisha tha se Rama ka treguar “urrejtje ndaj qytetarëve shqiptarë” dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij dhe diasporës që të vijojnë angazhimin në protestat kundër qeverisë.

Berisha deklaroi gjithashtu se kërkesat e paraqitura nga protestuesit do të trajtohen me “seriozitetin më të madh” dhe kërkoi që Parlamenti të ndërpresë aktivitetet e tjera për t’u marrë me shqyrtimin e tyre.

U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë t’i bashkohen kësaj proteste në çdo kohë dhe rast. Kjo protestë mbjell shpresë në çdo zemër shqiptare. I bëj thirrje diasporës të mbetet e angazhuar në këtë mision të madh për shpëtimin e vendit nga një regjim që ka dëmtuar ekzistencën e kombit shqiptar. Dënoj sharjet e pakualifikueshme që Rama u bën shqiptarëve në mediat më të mëdha ndërkombëtare. Ju garantoj që as Gedafi, as Sadami, as Maduro nuk i kanë lejuar gjuhës që Edi Rama ka përdorur në “Financial Times”. Ka dëshmuar urrejtjen e pakufishme ndaj qytetarëve shqiptarë. Sharja e tij ishte shokuese për gazetaren dhe audiencën.

Edi Rama e konsideron Shqipërinë si një sulltanat të kohërave të shkuara, ku vetë ai bën sulltanin, gjykatësin, policin dhe çdo funksion tjetër. Edi Rama duhet të largohet një minutë më parë. Edhe përtej qiellit, dielli të shkojë, shkon si njeriu që ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë. Si tradhtari i një kombi, që kreu gjenocid për të përzënë shqiptarët nga Shqipëria“, u shpreh Berisha.

Ndër të tjera kreu i selisë Blu, tha “Kërkesat e paraqitura dje, garantoj protestuesit se do të konsiderohen me seriozitetin më të madh si në aktivitetin tonë kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Dua të theksoj që ne, në të gjitha lidhjet tona dhe aktivitetet ndërkombëtare, kemi mbrojtur kauzën e drejtë të protestuesve. Insistojmë që Parlamenti të ndërpresë çdo lloj aktiviteti tjetër dhe të merret me trajtimin e kërkesave të drejta të protestuesve”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds