Almir Gjidiaj është vënë në pranga në Kolumbi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të armëve. Gjidiaj me origjinë nga Tropoja, qëndronte në një hotel në ishujt Rosario në qytetin e Kartagjenës në momentin që është vënë në pranga.
Në momentin që 33-vjeçari ka parë efektivët e policisë kolumbiane ka tentuar që të arratiset nga hoteli që qëndronte. Por tentativa e tij ishte pafat, pasi ndërhyrja e efektivëve të policisë ka bërë që ai të arrestohet në oborrin e hotelit.
Sipas burimeve bëhet me dije se roli i të arrestuarit ishte të drejtonte logjistikën dhe transportin për shitjen e armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë në tregun e zi. Më pas këto armë përdoreshin nga grupet shqiptare të lidhura drejtpërdrejtë me Kartelin Ballkanik.
Ndërkohë që Gjidiaj nuk është emër i panjohur për autoritetet policore në vend. Në vitin 2011, në banesën që qëndronte në Tiranë, ai ishte pre e një atentati me tritol. Ndërkohë që pas kontrollit të policisë në banesën që qëndronte me 3 persona të tjerë janë gjetur dhe 5 kg kanabis.
Almir Gjidiaj rezulton në të njëjtin grup me te arrestuarin tjetër në gusht të vitit të shkuar, Admir Tutaj, i cili u ekstradua drejt vendit tonë.