Një 41-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotme në Durrës. Arrestim i tij ka ardhur pasi 41-vjeçari u kap me disa doza drogë. Policia vën me dije se gjatë kontrollit fizik gjetën dhe sekuestruan disa doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis.
Policia më tej bën me dije se gjatë momentit të arrestimit bashkë me 41-vjeçarin ishin edhe 5 nxënës. Policia dyshon se i arrestuari do t’ua shiste lëndën narkotike 5 adoleshentëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një rast të shitjes së dozave të kanabisit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cleaning”.
Gjatë operacionit, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 41 vjeç, banues në Durrës. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj 41-vjeçarit, gjetën dhe sekuestruan disa doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis. Në momentin e kapjes, 41-vjecari ishte bashkë me 5 nxënës të një shkolle 9-vjeçare, të cilëve dyshohet se do t’iu shiste lëndë narkotike. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.