Një 39-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë. Arrestimi i tij mësohet se ka ardhur pasi u kap teksa drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Gjithashtu rezulton se i arrestuari ka thyer masën e e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Policia bën me dije se i arrestuari ishte në arrest shtëpie për veprën penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”. Në njoftim theksohet se 39-vjeçari është konstatuar duke kryer manovra në rrugë. Nga verifikimet rezultoi se ai po e drejtonte automjetin në gjendje të dehur në masën 1.58 mg/l.
Njoftimi i plotë:
Tiranë/ Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, arrestohet 39-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë kontrolleve parandaluese në terren, kanë konstatuar një automjet që kryente manovra dhe i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të tij, me qëllim kryerjen e verifikimeve.
Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas po e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur, në masën 1.58 mg/l. Nga verifikimet e kryera më tej, rezultoi se ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, që i kishte caktuar Gjykata, për veprën penale “Drejtim i automjetit në menyrë të parregullt”.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasin G. Z., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.