Një 28-vjeçar i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje është arratisur nga një burg i sigurisë së lartë në shtetin amerikan të Tenesit, duke vënë në alarm autoritetet, të cilat kanë nisur një operacion kërkimi për kapjen e tij. Sipas autoriteteve amerikane, i arratisuri është identifikuar si Jacob Morley, 28 vjeç, i cili u largua nga institucioni korrektues Northwest në Tiptonville, në veriperëndim të Tenesit, duke kaluar fshehurazi gardhin rrethues të burgut.
Zhdukja e tij u konstatua rreth orës 23:30 të së dielës, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë treguan se ai ishte arratisur i veshur me uniformën portokalli të të burgosurve. Sipas agjencisë Associated Press, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi mënyrën se si 28-vjeçari arriti të kalonte masat e sigurisë dhe të largohej nga institucioni. Pas arratisjes, forcat e rendit nisën kontrolle intensive në zonën përreth burgut, duke inspektuar ndërtesa dhe objekte të ndryshme ku i dënuari mund të jetë fshehur. Burgu ndodhet në një zonë rurale të izoluar, rreth 145 kilometra në veri të qytetit të Memfisit, çka ka vështirësuar operacionin e kërkimit.
Autoritetet kanë njoftuar gjithashtu një shpërblim deri në 2,500 dollarë për këdo që jep informacione që çojnë në arrestimin e Morley.
Vrau kolegun, trupin ia fshehu në një kuti poshtë shtëpisë
Jacob Morley po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e Cody Birchfield në vitin 2022. Viktima, i cili kishte qenë koleg i tij, u raportua fillimisht i zhdukur, ndërsa gjatë hetimeve policia zbuloi trupin e tij të fshehur në një kuti poshtë banesës së Morley, në Qarkun Carter. Për këtë krim, 28-vjeçari u shpall fajtor për vrasje të shkallës së parë dhe u dënua me burgim të përjetshëm.
Përveç vrasjes, ai u dënua edhe për disa vepra të tjera penale, përfshirë vjedhjen me thyerje, manipulimin e provave, vandalizmin dhe shmangien nga arrestimi. Institucioni korrektues Northwest në Tiptonville ka një kapacitet prej 1,776 të burgosurish meshkuj dhe mund të strehojë gjithashtu të mitur që janë dënuar si të rritur. Ndërkohë, kërkimet për kapjen e 28-vjeçarit vijojnë, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të njoftojnë policinë nëse kanë informacione për vendndodhjen e tij.
