Gjashtë persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni policor në Vlorë, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë që vepronte në fushën e krimeve kundër personit dhe trafikut të lëndëve narkotike.
Operacioni është zhvilluar nga strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Sektorit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës.
Në pranga kanë rënë: Florian Shala alias Florian Alliaj; Neritan Dalipaj alias Neritan Qejvanaj; Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula; Miço Beqaraj; Turi Aligjoni (i dyshuar si autor i plagosjes së ndodhur dy ditë më parë në Vlorë); Dritan Çelaj.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të grupit, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
