Një bilanc alarmant është bërë publik nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës për periudhën maj-qershor 2026, ku theksi është vendosur te shkeljet e rënda të sigurisë rrugore dhe kultivimi i lëndëve narkotike. Të dhënat e fundit tregojnë një situatë tejet shqetësuese, veçanërisht lidhur me një fenomen të rrezikshëm në rritje: drejtimin e automjeteve nga të miturit.
Gjatë kësaj periudhe dymujore, forcat e policisë kanë evidentuar plot 29 raste të shkeljeve të rregullave të qarkullimit. Si pasojë e kësaj papërgjegjshmërie, janë regjistruar 4 aksidente rrugore që kanë lënë të lënduar 4 qytetarë. Ajo që përbën një këmbanë alarmi për sigurinë e jetës së qytetarëve është kapja e 12 të miturve në timon, një shifër kjo e lartë për qarkun. Gjithashtu, 4 persona kanë përfunduar në pranga për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
” Gjatë periudhës dymujore, maj-qershor 2026, Policia Rrugore Kukës ka evidentuar 29 raste të shkeljeve që cënojnë sigurinë rrugore. Gjatë periudhës, gjatë periudhës analizuese kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, si pasojë e të cilave janë dëmtuar lehtë 4 shtetas. Problematika gjatë kësaj periudhe kanë qenë: siguria rrugore për garantimin e së cilës gjatë periudhës dy mujore janë evidentuar 20 raste të drejtimit të mjeteve në mënyrë të parregullt. Problematike tjetër në këtë fushë ka qenë drejtimi i automjeteve nga të miturit, konkretisht janë marrë masat e nevojshme për 12 raste të tilla. Gjatë periudhës maj-qershor, për drejtimin e automjeteve në gjendje të dehur u vunë në pranga 4 shtetas.
Për zgjidhjen e kësaj problematike, shërbimet e policisë rrugore dhe jo vetëm, kanë shtuar monitorimin, kontrollet dhe praninë në terren me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e çdo shkelje që rrezikon sigurinë rrugore, jetën, shëndetin e përdoruesve të rrugës. Vijon të mbetet sfidë edhe lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike. Për këtë arsye, kontrollet me këmbë, me dron dhe veprimet hetimore janë intensifikuar në të gjithë territorin. Gjatë kësaj periudhe janë referuar dy raste për këtë lloj veprimtarie kriminale, janë asgjësuar 225 bimë dhe 75 fidanë.
Në përfundim, në emër të të gjithë strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, dua të siguroj qytetarët se mbetemi maksimalisht të angazhuar për parandalimin dhe goditjen e çdo lloj paligjshmërie, si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike.
Njëkohësisht, sigurojmë qytetarët, pushuesit, drejtuesit, turistët, se policia e shtetit dhe policia kufitare vijojnë të jenë 24 në 24 në terren për të garantuar sigurinë në çdo zonë të qarkut si dhe për të reaguar me shpejtësi ndaj çdo lloj situate. Një apel të veçantë dua të drejtoj qytetarëve, operatorëve turistikë dhe çdo subjekti që ushtron aktivitet gjatë sezonit veror që të respektojnë ligjin, standardet e sigurisë, pasi çdo shkelje që cënon jetën, shëndetin apo sigurinë e qytetarëve do të trajtohet me seriozitetin maksimal dhe në përputhje me ligjin.
Po ashtu ftoj qytetarët e këtij komuniteti dhe median të vijojnë bashkëpunimin me policinë e shtetit duke denoncuar çdo rast paligjshmërie apo çdo situatë që cënon sigurinë dhe rendin publik. Ju garantoj se çdo informacion, denoncim apo telefonatë do të trajtohet menjëherë dhe me profesionalizëm, përgjegjshmëri dhe seriozitet.”
