Në zonën e Darsisë, traditë prej vitesh ka qenë dhe ngelet kultivimi i ullinjve. Fermerët çdo vit e më shumë po i drejtohen këtij sektori për të fituar të ardhura për familjet e tyre. Ata na kanë treguar vazhdimisht gjatë kronikave të ndryshme që kemi bërë se me sa përkushtim përkujdesen për to edhe për  vështirësitë që hasin në kultivimin e ullirit, pasi bima e ullirit kërkon të jesh gjithë kohës i angazhuar. Me të mbaruar vjelja, fillon direkt krasitja, paralel me të fillon spërkatja dimërore.

Spërkatja dimërore e pemëve  është masë agroteknike obligative me anë të së cilës eliminohet një numër i madh i shkaktarëve të sëmundjeve dhe dëmtuesve, të cilët kanë qenë prezent në vitin paraprak, duke shkaktuar humbje mjaft të mëdha si në rendiment po ashtu edhe në cilësi të frutave që prodhohen.

Në kulturën e ullirit sëmundja më dëmsjellëse dhe që kompromenton prodhimin në kushtet tona klimatike është “syri i palloit”.

Patogjeni është prezent në të gjitha zonat e kultivimit të ullirit në vendin tonë. Në kushtet e një dimri jo të ftohtë, sëmundja zhvillohet që nga vjeshta deri në pranverë.
“Syri i palloit” prek gjethen, degëzat e reja njëvjeçare, bishtat e gjetheve  të frutave dhe frutat.

Mos aplikimi i spërkatjes dimërore ose kryerja jo cilësore, nuk mund të korrigjohet në pranverë. Spërkatja duhet të realizohet në mot të mirë, pa erë dhe me temperatura mbi 10 °C.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *