Në kuadër të festave të 28 dhe 29 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë dhe Çlirimit, në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Lushnjë u organizua një koncert festiv, ku protagonistë ishin fëmijët e kësaj qendre.
Përmes këngëve patriotike dhe valleve me motive kombëtare, ata sollën një atmosferë të veçantë festive, duke përcjellë mesazhe atdhedashurie dhe krenarie për historinë dhe traditat shqiptare.
Ajo që binte në sy gjatë aktivitetit ishte edhe veshja e fëmijëve, të cilët ishin paraqitur me simbolet kombëtare, ngjyrat kuq e zi dhe flamurin shqiptar me shqiponjën dykrenare. Një kombinim që i dha edhe më shumë bukuri koncertit dhe krijoi një atmosferë të denjë për festat e Nëntorit.
Fëmijët interpretuan këngë dhe kërcime patriotike, duke sjellë për publikun emocione dhe mesazhe të forta për dashurinë ndaj atdheut dhe respektin për simbolet kombëtare.
Për të ndjekur nga afër këtë shfaqje ishin të pranishëm edhe prindërit e fëmijëve, të cilët duartrokitën performancat dhe përgatitjen e vogëlushëve.
Përmes këtij aktiviteti, Qendra Kulturore e Fëmijëve vijon të promovojë traditat, kulturën dhe ndjenjën kombëtare tek brezi i ri, duke i bërë festat e Pavarësisë dhe Çlirimit edhe më të veçanta.




