Vetëm pak orë pas plagosjes me thikë të një punonjësi fast-food-i nga një 17-vjeçar, një tjetër incident me mjet prerës është regjistruar në qytetin e Fierit. Një 42-vjeçar është filmuar duke lëvizur me thikë në dorë në hyrje të pedonales, në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale kanë shkaktuar shqetësim për sigurinë në hapësirat publike, veçanërisht pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më herët në të njëjtën zonë.
Sipas policisë, ai dyshohet se ka kanosur me thikë drejtuesin e një automjeti që po kalonte në pedonale.
Policia në njoftimin zyrtar sqaron se në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një shtetas që mban në dorë, një mjet prerës (thikë) bëjmë me dije se shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e tij, në ambientet e Komisariatit të Policisë Fier.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. F., 42 vjeç, banues në Fier (dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor) i cili dyshohet se ka kanosur me mjet prerës (thikë), drejtuesin e një automjeti që po kalonte në pedonalen e qytetit.
Mjeti prerës (thikë) që mbante ky shtetas është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kanosja”.




