Pavarësisht se i kanë mbetur vetëm muajt e fundit si njësi e pushtetit vendor, Bashkia e Divjakës ka nisur përgatitjet për festat e Nëntorit. Rrugët kryesore të qytetit janë veshur me flamuj kuq e zi dhe simbole kombëtare, ndërsa sheshi qendror është zbukuruar me flamuj të shumtë, duke krijuar atmosferën festive në prag të festave të Pavarësisë dhe Çlirimit.

Atmosfera e festave është përcjellë edhe në njësitë administrative Tërbuf, Gradishtë, Grabjan dhe Remas, ku rrugët dhe hapësirat publike janë zbukuruar me flamuj dhe emblema kombëtare. Edhe akset kryesore rrugore janë veshur me ngjyrat kuq e zi, duke sjellë një pamje festive në të gjithë territorin e bashkisë.

Divjaka, e cila prej vitit 1994 funksionon si njësi e pushtetit vendor dhe prej vitit 2014 me statusin e bashkisë, pas reformës së re territoriale do të jetë pjesë e Bashkisë së Lushnjës, si njësi administrative. Megjithatë, ajo do të ruajë statusin e qytetit.

Për më shumë se dy muaj e gjysmë, banorët e Divjakës kundërshtuan ndryshimin e statusit administrativ përmes protestave të zhvilluara në sheshin e qytetit. Kundërshtimet vijuan deri në miratimin e reformës së re territoriale në Kuvend, ku 84 deputetë, mes tyre edhe deputetja e zonës, votuan pro ndryshimeve që i japin fund funksionimit të Divjakës si bashki më vete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds