Shitjet e fermerëve të dokumentuara përmes autofaturës arritën në 221 milionë euro gjatë periudhës janar-tetor 2026, me një rritje prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, numri i autofaturave u rrit me 22%, sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Në një publikim në rrjetet sociale, administrata tatimore bëri të ditur se transaksionet mes fermerëve dhe blerësve të produkteve bujqësore kanë shënuar ecuri pozitive, si në numër ashtu edhe në vlerë.

Sipas Tatimeve, rritja e volumeve tregtare pasqyron një ecuri pozitive drejt formalizimit dhe transparencës së aktivitetit ekonomik, si rezultat i nismave formalizuese në këtë sektor.

Autofatura është mekanizmi përmes të cilit blerësi i regjistruar për TVSH, si grumbullues, përpunues apo agroturizëm i certifikuar, lëshon faturë tatimore në emër të fermerit për produktet bujqësore të blera. Përmes këtij instrumenti dokumentohen shitjet e fermerëve dhe krijohet baza për përfitimin e kompensimit prej 10% të vlerës së furnizimeve, sipas kushteve të skemës në fuqi.

Rritja e përdorimit të autofaturës është një tregues i zgjerimit të transaksioneve të dokumentuara në sektorin bujqësor, ku informaliteti mbetet një nga sfidat e aktivitetit ekonomik./Monitor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds