Në zonën e Darsisë fermerët po përballen me rënien e ndjeshme të çmimit të vajit të ullirit, pikërisht në një sezon kur prodhimi është i lartë. Nga 600 lekë për litër që tregtohej në fillim të sezonit, çmimi i vajit të ullirit me shumicë ka zbritur aktualisht në 400 deri në 450 lekë për litër. Një rënie që ka vënë në vështirësi prodhuesit të cilët thonë se me këto çmime mezi arrijnë të mbulojnë shpenzimet e një viti të tërë pune.
Sipas tyre vetëm për të nxjerrë kostot e prodhimit, vaji duhet të shitet të paktën me 400 lekë për litër. Në këto kushte,çmimi aktual nuk u lë pothuajse asnjë fitim, ndërsa në rastet kur prodhimi është shoqëruar me më shumë shpenzime, rreziku i humbjes është edhe më i madh.
Shqetësimi kryesor është se çmimi mund të vijojë të bjerë në ditët në vijim duke e vështirësuar edhe më shumë situatën ekonomike të familjeve që sigurojnë të ardhurat nga kultivimi i ullirit.
Në anën tjetë një pjesë e tregtarëve që vijnë nga zona të ndryshme për të blerë vajin e ullirit në fabrikat e përpunimit në Darsi, e konsiderojnë çmimin aktual të favorshëm për ta.
Tregtarët shprehen se çmimi përcaktohet nga kërkesa dhe oferta në treg, si dhe nga mundësitë e shitjes së produktit. Për ta, rënia e çmimit krijon më shumë hapësirë për blerje.
Ndërkohë sezoni i vjeljes së ullirit nuk ka arritur ende pikun në të gjithë zonën e Darsisë. Fermerët presin që në ditët dhe javët në vijim të dalë në treg një sasi edhe më e madhe vaji, çka sipas tyre mund të ushtrojë presion të mëtejshëm mbi çmimin.
Në këto kushte, shumë prej tyre po mendojnë të mos e shesin menjëherë prodhimin, por ta ruajnë vajin në shtëpi, me shpresën se çmimet do të përmirësohen më vonë.
