Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve Sadleva Bodo ka zhvilluar një vizitë inspektimi në burgun e Fierit, ku është njohur nga afër me infrastrukturën, kushtet dhe organizimin e punës, si dhe ka zhvilluar takime me stafin e institucionit.
Në njoftimin zyrtar pas vizitës, IEVP Fier cilësohet si një model i zhvillimit të sistemit penitenciar, ku siguria ndërthuret me trajtimin dinjitoz të personave të dënuar dhe krijimin e mundësive për rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri, në përputhje me standardet evropiane.
Vëmendje e veçantë në këtë institucion u kushtohet programeve rehabilituese, mundësive të punësimit brenda ambienteve të burgut, arsimimit dhe ndjekjes së kurseve të formimit profesional. Po ashtu, janë krijuar ambiente të përshtatshme për ushtrimin e besimit fetar.
Vizita e Bodos zhvillohet pas transferimit të Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, më 28 tetor. Kryebashkiaku i Tiranës e ka kundërshtuar këtë vendim dhe ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës për shpërdorim detyre Drejtoreshën e Burgjeve duke kërkuar hetimin e ligjshmërisë së transferimit.
Pavarësisht pretendimeve të ish-kryebashkiakut, njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pas inspektimit nuk përmend çështjen e Veliajt. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve fokusohet tek institucioni i Fierit që është një strukturë ku vuajtja e dënimit nuk kufizohet vetëm te siguria dhe mbikëqyrja, por shoqërohet edhe me arsimim, formim profesional dhe mundësi për një rikthim më të mirë të të dënuarve në jetën shoqërore.
