Një incident me pasoja për shëndetin e dy punonjësve është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Qënas të Fierit. Dy persona janë asfiksuar si pasojë e një rrjedhjeje gazi në një furrë buke, ku ata ishin duke ushtruar aktivitetin e tyre të punës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00, kur dyshohet se nga rubineti i bombulës së gazit ka pasur rrjedhje, duke shkaktuar përhapjen e gazit në ambientet e furrës së bukës.

Si pasojë, kanë mbetur të asfiksuar dy punonjësit, Aleksandër Kola, 62 vjeç dhe Ilir Hysi, 55 vjeç.

Menjëherë pas konstatimit të situatës, të dy personat janë transportuar në spital, ku aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Ende nuk ka informacion të detajuar mbi gjendjen e tyre shëndetësore, ndërsa mbetet për t’u sqaruar se si ka ndodhur rrjedhja e gazit dhe nëse janë respektuar kushtet e sigurisë në ambientet e punës.

Grupi hetimor ndodhet në punë për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij incidenti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *