Janë mbyllur kundërshtimet e të pandehurve dhe avokatëve të tyre në dosjen e ndarë “Veliaj”, që po gjykohet me procedurë të shkurtuar. Gjykata e Posaçme pritet të shpallë vendimin përfundimtar më 25 nëntor pasi dëgjoi palët.

Në pretencën e saj, SPAK kërkoi dënimin me 7 vite burg për biznesmenin Elman Abule, që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 4 vite e 8 muaj heqje lirie. Ky është i vetmi rast për të cilin prokuroria kërkoi dënim me burg.

Për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka u kërkua një gjobë prej 600 mijë lekësh, ndërsa për Ina Goxhajn dhe Fatjon Baçin shërbim prove.

Për biznesmenin Fatmir Bektashi u kërkua punë në interes publik, ndërsa për Frosina Bollon shërbim prove dhe për Flutura Xhanin një gjobë prej 40 mijë lekësh.

Nga ana tjetër, Adela Kondakçiu përjashtohet nga dënimi, pasi përfitoi statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë.

SPAK kërkoi gjithashtu gjoba për tre shoqëri të përfshira në dosje: 18 milionë lekë për Ramental, 800 mijë lekë për Kontakt dhe 500 mijë lekë për organizatën Frobolus.

Pas përfundimit të pretendimeve të palëve, tashmë fjala i takon gjykatës, e cila më 25 nëntor do të vendosë për fatin penal të të pandehurve në këtë proces të ndarë të dosjes “Veliaj”.

Ndërkohë, Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë vijojnë të gjykohen me procedurë të zakonshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds