Mariah Carey është bërë protagonistja e fushatës së re festive të shtëpisë italiane të modës Gucci, e cila ka zgjedhur një kombinim mes luksit, muzikës dhe atmosferës së Krishtlindjeve.

Këngëtarja shfaqet në reklamën e titulluar “Gucci Gift”, nën tingujt e hitit të saj ikonik “All I Want for Christmas Is You”, këngës që prej vitesh shoqëron festat e fundvitit në mbarë botën.

Fushata është realizuar nga regjisori Harmony Korine dhe zhvillohet në një hotel luksoz, ku gjithçka është në përgatitje për një festë të madhe. Dekorimet, pemët e Krishtlindjeve dhe dhuratat krijojnë atmosferën festive, ndërsa të gjithë presin mbërritjen e një të ftuareje të veçantë: Mariah Carey.

Artistja shfaqet me krijime nga koleksioni “Butterfly”, i frymëzuar nga flutura, simboli që lidhet ngushtë me imazhin e saj dhe albumi me të njëjtin emër, i publikuar në vitin 1997.

Përmes kësaj fushate, Gucci prezanton edhe koleksionin e dhuratave për sezonin festiv, ku përfshihen çanta luksoze, këpucë, çizme, atlete dhe aksesorë dimërorë. Mes modeleve të spikatura janë Starlet, Gucci Duffle, GG Marmont dhe Paparazzo prej kamoshi.

Me këtë reklamë, marka italiane ndërthur modën me një prej këngëve më të njohura të Krishtlindjeve, duke e kthyer Mariah Carey në figurën qendrore të fushatës së saj për festat e fundvitit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *