Një 29-vjeçar dyshohet se është autor i një zjarrvënieje në fshatin Kryekuq të Divjakës. Ngjarja u regjistrua rreth orës 13:25, kur Policia u njoftua për një vatër zjarri e cila po përhapej duke rrezikuar edhe pyllin e Parkut Kombëtar të Divjakës, një zonë me rëndësi të veçantë natyrore.
Pas marrjes së njoftimit shërbimet e Policisë dhe ato të zjarrfikëses mbërritën në vendngjarje, ku ndërhynë për të vënë nën kontroll situatën. Falë ndërhyrjes së tyre flakët u shuan duke shmangur përhapjen e mëtejshme drejt sipërfaqeve pyjore. Megjithatë zjarri dogji një sipërfaqe toke të mbuluar me bimësi të egër dhe shkurre.
Gjatë veprimeve në terren punonjësit e Policisë kapën pranë vatrës shtetasin A. M., 29 vjeç, banues në Divjakë i cili dyshohet se ka shkaktuar zjarrin. Ai u shoqërua në Komisariatin e Policisë Divjakë, ku do të kryhen veprimet e mëtejshme procedurale për dokumentimin e rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
