Një deklaratë e fortë është regjistruar gjatë protestave te Kryeministria nga një student ekselent i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, i cili ka hedhur poshtë me indinjatë akuzat e rënda të bëra nga kryeministri.

Sipas të riut, kreu i qeverisë e ka akuzuar publikisht si një person me precedent penal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Gjatë një prononcimi publik nga sheshi i protestës, studenti 20-vjeçar ka zgjedhur të heqë maskën përballë kamerave për të treguar se nuk ka asgjë për të fshehur.

Ai e ka cilësuar deklaratën e kreut të qeverisë si një shpifje të pastër dhe një “përpjekje të fundit të një diktatori”. Për të vërtetuar integritetin e tij, protestuesi ka bërë publike listën e notave, duke theksuar se është një student ekselent me mesatare absolute 10.0.

Përveç akuzave për narkotikë, studenti u shpreh se kryeministri i ka etiketuar protestuesit si “organizata antifa dhe neokomuniste”. I pyetur nga gazetarët nëse kishte pasur probleme të mëparshme me forcat e rendit, i riu pranoi se ishte shoqëruar nga policia të martën e kaluar. Ai sqaroi se ndalimi erdhi pasi kishte dalë në një protestë paqësore, ku u mbajt në rajon për më shumë se shtatë orë e gjysmë përpara se të lirohej.

Pavarësisht rëndesës së akuzave të ngritura ndaj tij, studenti theksoi se nuk ka ndërmend të bëjë një denoncim formal. Ai shprehu një mosbesim total ndaj sistemit të drejtësisë, duke i cilësuar ato si “institucione boshe” dhe duke ngritur pyetjen retorike se tek kush mund të gjejë të drejtën e tij.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në radhët e qytetarëve, duke vënë në pikëpyetje metodat e përdorura për të diskredituar protestuesit.

DEKLARATA E STUDENTIT

Studenti: Zoti kryeministër ka dalë sot dhe më ka akuzuar mua për precedent kriminal për vepër penale, prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike. Ja, ja shikojeni me foto të gjithë, ja ta heq edhe maskën. Shikojeni të gjithë se nuk kam asnjë lloj turpi. Unë jam student i Universitetit të Mjekësisë, e kam të shkruajtur këtu, nuk ka asnjë lloj… çfarë legjendash shpik ky! Gjithashtu, gjithashtu, meqenëse donte të na cënonte, na ka quajtur organizata antifa e neokomunista, dua të tregoj dhe të gjitha notat që kam marrë, me mesatare 10.0! Nuk na ndaloni dot me këto gënjeshtra. Dje ishte treni, se ku e gjetët trenin unë nuk e di, sot na dolët edhe prodhues të lëndëve narkotike. Kështu vazhdoni, këto janë përpjekjet e fundit të një diktatori! Të fundit! Të fundit!

Jo unë, s’ia di as emrin. Jam 20 vjeç, pjesë e Universitetit të Mjekësisë Tiranë. Këto janë shpifje, nuk e di se ku i ka gjetur këto informacione. Të më thonë edhe mua se qenkam me precedent penal, ta dija dhe unë të paktën.

Gazetarët: Keni qenë i shoqëruar nga policia?

Studenti: Po, kam qenë të martën e kaluar i shoqëruar sepse dola në protestë në mënyrë paqësore. Më mbajtën 7 orë e gjysmë dhe më pas më lëshuan.

Gazetarët: Ju po thoni se kryeministri po mashtron me këto deklarata. A do ta denonconi?

Studenti: Patjetër… Nuk e di a do ta denoncoj se nuk kam kohë në këto momente se jam këtu në shesh. Nuk kam kohë për denoncime të kota. Janë institucione boshe, nuk kanë çfarë të…

Gazetarët: Apo nuk keni besim?

Studenti: Nuk kam besim tek asnjë gjë! Tek kush ta denoncoj? Tek kush? Tek kush do ta denoncoj?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds