Kisha Katolike përkujton sot Shën Gjon Palin II, Papën polak që udhëhoqi Selinë e Shenjtë për gati 27 vjet, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e Kishës, në dialogun ndërfetar dhe në zhvillimet politike e shoqërore të fundit të shekullit XX.
Data 22 tetor lidhet me meshën e fillimit të pontifikatit të tij, të kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan më 22 tetor 1978, pak ditë pasi u zgjodh Papë, më 16 tetor të po atij viti.
I lindur si Karol Józef Wojtyła më 18 maj 1920, në Vadovicë të Polonisë, ai u bë Papa i parë polak në histori dhe i pari Papë joitalian pas më shumë se katër shekujsh. Gjatë pushtimit nazist, punoi fillimisht në një gurore dhe më pas në një fabrikë kimike, ndërsa ndiqte fshehurazi studimet në seminarin e Krakovës. U shugurua meshtar në vitin 1946, u emërua kryeipeshkëv i Krakovës në vitin 1964 dhe kardinal në vitin 1967.
Pontifikati i tij u karakterizua nga udhëtime të shumta apostolike, përpjekje për afrimin mes feve dhe promovimin e dialogut ekumenik. Ai zhvilloi 104 udhëtime apostolike jashtë Italisë dhe luajti një rol të rëndësishëm në jetën ndërkombëtare, veçanërisht në periudhën e rënies së regjimeve komuniste në Europën Lindore.
Më 13 maj 1981, Gjon Pali II i mbijetoi një atentati në Sheshin e Shën Pjetrit. Pas shërimit, ai e vizitoi në burg atentatorin e tij, Mehmet Ali Ağca, dhe e fali publikisht, një gjest që u bë simbol i mëshirës dhe faljes.
Gjatë drejtimit të Kishës Katolike, ai botoi 14 enciklika dhe kontribuoi në hartimin e Katekizmit të Kishës Katolike. Në vitin 2000, udhëhoqi Kishën gjatë Jubileut të Madh, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të mijëvjeçarit për komunitetin katolik.
Shën Gjon Pali II ndërroi jetë në Vatikan më 2 prill 2005. Ai u lumturua nga Papa Benedikti XVI në vitin 2011 dhe u shpall shenjt nga Papa Françesku më 27 prill 2014.
Figura e tij mbetet e lidhur me përpjekjet për paqe, liri, pajtim dhe dialog mes popujve e besimeve të ndryshme.
