Në një mbledhje jashtë radhe, Këshilli Bashkiak i Lushnjës miratoi fondet për investimin në shkollën “Liri Kazazi” dhe një shtesë prej 20 milionë lekësh për klubin e futbollit “Lushnja”. Dy çështjet ishin pjesë e një pike në mbledhjen e mëparshme.
Mbledhja u shoqërua me debate për situatën në rezervuarin e Kasharajt. Këshilltarët e opozitës, me anë të Kryetarit te grupit Klement Çelën kërkuan që bashkia të sqarojë përgjegjësitë për katastrofën mjedisore.
Kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa iu pergjigj Çelës duke theksuar se bashkia ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Fierit për situatën në Kasharaj. Sefa tha se kontrata me kompaninë përgjegjëse është pezulluar që në muajin shkurt dhe se pas këtij momenti bashkia nuk ka pasur më komunikim apo dokumentacion me kompaninë.
Çela kërkoi sërish sqarime mbi përgjegjësinë e bashkisë.
Ndërkohë Kryetari i grupit të këshilltarëve të PS-së Ergest Krakulli kërkoi shpjegime për fondin shtesë prej 20 milionë lekësh për klubin “Lushnja”.
Në përfundim, këshilltarët e opozitës u larguan nga mbledhja në momentin, kur nisi votimi për shtesën prej 20 milionë lekësh për klubin e futbollit “Lushnja”.
