Policia e Qarkut Fier ka finalizuar një operacion për zbardhjen e disa rasteve të zjarrvënieve që shkaktuan dëme në toka bujqësore dhe ullishte. Pas hetimeve u identifikuan tre persona të dyshuar si autorë të cilët u arrestuan në flagrancë pas përfundimit të veprimeve procedurale.

Sipas njoftimit të policisë specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasit: 

-A. S., 56 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në servisin e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur pjesë automjetesh dhe pemë ulliri në pronën e një shtetasi tjetër;   

-D. G., 49 vjeç, banues në fshatin Golem, Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturinat, por zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër dhe kanale vaditëse, si dhe ka rrezikuar djegien e disa serave në afërsi.  

Ndërkohë Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin D. D., 31 vjeç, banues në fshatin Pojan, Fier, pasi dje, dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij dhe për shkak të erës, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar banesat dhe sipërfaqe të mëdha toke në afërsi të Parkut Arkeologjik të Apollonisë.

Falë reagimit të shpejtë të shërbimeve të Policisë dhe shërbimeve zjarrfikëse, u bë e mundur shuarja e vatrave të zjarrit, pa shkaktuar dëme në banesa apo te banorët.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.

Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetje bujqësore apo kryejnë pastrimin e tokave dhe territoreve nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi ato mund të shkaktojnë përhapjen e pakontrolluar të zjarreve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds