Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë ka reaguar pas prezantimit të ndryshimeve në Kodin e Procedurës penale nga Kryeministri Rama ditën e djeshme.

Ne dokument Shoqata e Prokurorëve shpreh se ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Peenale, cenojnë sekretin hetimor, ndërsa shton se barrierat procedurale mund të ngadalësojnë hetimet.

Reagimi i plotë i SHPRSH:

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të nismës ligjore të prezantuar nga Këshilli i Ministrave, për një sërë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, e konsideron të domosdoshme, që në ushtrim të veprimtarisë së saj, të shprehë këtë qëndrim zyrtar si vijon. Së pari, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë mbështet në parim çdo nismë ligjore që synon përmirësimin e sistemit të drejtësisë penale, përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian dhe të vendeve anëtare të saj, si dhe forcimin e garancive për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Mbrojtja e të drejtave të personit nën hetim dhe të pandehurit nuk është pengesë për drejtësinë penale, por kusht themelor i saj. Në të njëjtën kohë, një procedurë penale demokratike duhet të garantojë edhe aftësinë reale të shtetit për të zbuluar veprat penale, për të mbledhur dhe ruajtur provat, për të identifikuar autorët dhe për të mbrojtur viktimat dhe interesin publik. Një kod procedural ka nevojë për stabilitet të mjaftueshëm që institucionet ta zbatojnë në mënyrë të njëtrajtshme, që praktika gjyqësore të konsolidohet, që Gjykata e Lartë të mund të zhvillojë funksionin e saj njësues dhe që profesionistët e sistemit të krijojnë standarde të qëndrueshme pune. Prandaj, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit procedural penal krijojnë, në vetvete, një problem të sigurisë juridike dhe të parashikueshmërisë së zbatimit të ligjit. Shoqata e Prokurorëve vlerëson se ndërhyrje të përmasave të tilla, që prekin themelet e hetimit penal, balancën ndërmjet subjekteve procedurale, si dhe vetë funksionalitetin e sistemit të drejtësisë penale, duhet të mbështeten në një analizë të qartë të problemeve të konstatuara në praktikë dhe në një vlerësim të plotë të ndikimit të ndryshimeve të propozuara. Gjithashtu, procesi i konsultimit publik duhet të jetë real, gjithëpërfshirës dhe me kohën e nevojshme për vlerësimin të efektit ndryshimeve mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë penale. Nga analiza paraprake e projekt-ndryshimeve të prezantuara, konstatojmë me shqetësim se një pjesë e konsiderueshme e dispozitave, në vend që të rrisin efektivitetin e ndjekjes penale dhe garantimin e drejtësisë penale, rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat mes subjekteve procedurale, të ngadalësojnë ndjeshëm zbulimin e veprave penale, veçanërisht ato që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe të kufizojnë ndjeshëm informimin publik, duke cenuar interesin publik dhe besimin e qytetarëve te drejtësia. Në mënyrë të veçantë, konstatohet një prirje për kufizim të kompetencave dhe mjeteve të kërkimit të provës në dispozicion të prokurorit gjatë fazës së hetimeve, duke vendosur barriera procedurale për sekuestrimet, kontrollet, përgjimet dhe përdorimin e provave të tjera. Ky kufizim vlerësohet si i pajustifikuar, teksa prokurori në Republikën e Shqipërisë (si në shtete të tjera të BE-së me sistem të ngjashëm magjistrature), është magjistrat, i pavarur në ushtrimin e funksionit, si dhe ka kurdoherë detyrimin për të grumbulluar të gjithë provat që tregojnë njësoj si fajësinë, ashtu edhe pafajësinë e personit. Në këtë kuptim, çdo ndryshim duhet të niset nga kjo premisë dhe jo nga një mosbesim i përgjithësuar ndaj funksionit të prokurorit. Projektligji ndërthur institute dhe zgjidhje të marra nga modele të ndryshme procedurale, pa qenë gjithmonë e qartë filozofia unifikuese e tyre. Një dispozitë nuk mund të transpozohet mekanikisht nga një sistem ku hetimin e drejton një organ tjetër, ku prokurori mund të ketë status dhe funksion të ndryshëm ose ku ekziston një gjyqtar hetues me kompetenca të plota, dhe të vendoset në një sistem ku Kushtetuta dhe Kodi ia ngarkojnë prokurorit drejtimin dhe përgjegjësinë e hetimit. Krahasimi me legjislacionet e shteteve të tjera është i dobishëm vetëm kur është funksional dhe merr në konsideratë të gjithë arkitekturën institucionale të sistemit nga i cili merret zgjidhja, si statusin e prokurorit, rolin e gjykatës në hetim, mënyrën e formimit të provës, strukturën e dosjes, momentin e kontradiktoritetit, mjetet e ankimit dhe përgjegjësinë institucionale. Përndryshe, bashkimi selektiv i instituteve të sistemeve të ndryshme rrezikon të prodhojë një model procedural atipik, të paqartë dhe me qendra të fragmentuara përgjegjësie. Psh., ndërsa nga njëra anë importohen disa institute të Kodit italian (hetimet e mbrojtjes, retrodatimi i regjistrimit, “pritshmëria e arsyeshme për dënim”), nga ana tjetër konstatohet largim nga vetë modeli italian lidhur me vleftësimin e kontrollit dhe sekuestros nga prokurori. Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se çdo reformë duhet të avancojë më tej standardet e vendosura tashmë me Reformën në Drejtësi. Vetë Analiza e Sistemit të Drejtësisë e vitit 2015, që i parapriu Reformës në Drejtësi nuk propozoi rrëzimin e modelit prokurorial të hetimit. Ajo identifikoi në atë kohë probleme të qartësisë së rolit të prokurorit, mënyrës së organizimit të prokurorisë si një organ i centralizuar, afateve procedurale, kontrollit të hetimeve, gjykimit në mungesë, eficiencës dhe sistemit të ankimeve. Në këtë analizë u theksua se ndjekja penale duhet të ushtrohet nga prokurori, se hetimet paraprake janë faza ku mblidhen të dhënat dhe zbatohen mjetet e kërkimit të provës, dhe se gjykata ka rol kontrollues për ndërhyrjet më të rënda. Pra, diagnoza ishte për përmirësim të ekuilibrit dhe garancive, jo për heqjen e prokurorit nga qendra e hetimit. Pikërisht pas kësaj analize, u bënë ndërhyrjet në Kodin e Procedurës Penale, të hyra në fuqi në vitin 2017, të cilat kishin si objektiv të deklaruar njëkohësisht fuqizimin e rolit të prokurorit gjatë hetimeve dhe kontrollin gjyqësor të veprimeve të tij. Decentralizimi i prokurorisë u shoqërua me krijimin e gjyqtarit të seancës paraprake si mekanizëm kontrolli. Kjo tregon se ligjvënësi i reformës e konceptoi pavarësinë e prokurorit dhe kontrollin gjyqësor si elemente plotësuese, jo si alternativa që përjashtojnë njëra-tjetrën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds