Policia Rrugore e Fierit ka intensifikuar kontrollet në rrugët urbane, interurbane dhe lokale, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve.

Gjatë kësaj jave janë proceduar penalisht 5 shtetas për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.

Një prej tyre është arrestuar për drejtim të automjetit në gjendje të dehur. Tre të tjerë janë proceduar për drejtim të mjetit pa leje drejtimi, ndërsa një shtetas është arrestuar dhe dy janë proceduar në gjendje të lirë.

Në një tjetër rast, një shtetas është proceduar penalisht për shkelje të rregullave të qarkullimit, me pasojë aksidentin.

Kontrollet kanë vijuar edhe për shkeljet administrative. Në total janë vendosur 989 masa për tejkalim të shpejtësisë, kryesisht në rrugët interurbane dhe në autostradën A2.

Gjithashtu, janë vendosur 40 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 4 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 35 për parakalim të gabuar dhe 6 masa për drejtim të automjetit nën efektin e alkoolit.

112 masa të tjera administrative janë vendosur për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit, të konsideruara si burim potencial për aksidente.

Kontrollet kanë përfshirë edhe mjetet që kryejnë transportin e nxënësve. Gjatë kësaj jave janë vendosur 3 masa administrative ndaj mjeteve të transportit publik që janë konstatuar pa dokumentacionin përkatës.

Policia Rrugore e Fierit apelon drejtuesit e automjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, për të garantuar një lëvizje më të sigurt dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e të gjithë përdoruesve të rrugës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds