Aksidentet rrugore u rritën me 6.2% në tetë muajt e parë të vitit 2026, të nxitura kryesisht nga një shtim i fortë i rasteve në Tiranë dhe Durrës, edhe pse gushti shënoi më pak aksidente se i njëjti muaj i një viti më parë.

Në periudhën janar-gusht u regjistruan 983 aksidente, nga 926 në të njëjtën periudhë të vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur arriti në 1,378, nga 1,306 një vit më parë, një rritje prej rreth 5.5%.

Tirana dha kontributin më të madh në rritje. Kryeqyteti regjistroi 369 aksidente në tetë muajt e parë të vitit, nga 270 në të njëjtën periudhë të 2025-s, ose rreth 37% më shumë. Numri i të vrarëve dhe të plagosurve u rrit në 457 nga 342.

Një rritje edhe më e fortë në përqindje u shënua në Durrës, ku aksidentet u shtuan në 98 nga 62, rreth 58% më shumë se një vit më parë. Të vrarët dhe të plagosurit u rritën në 139 nga 93. Në Vlorë, aksidentet u rritën në 92 nga 79, ndërsa në Gjirokastër në 51 nga 46.

Rritja kombëtare fsheh diferenca të mëdha mes qarqeve. Në Shkodër, numri i aksidenteve ra në 45 nga 75 në tetë muaj, ndërsa në Korçë në 70 nga 91. Lezha regjistroi 115 aksidente, nga 126 një vit më parë, ndërsa Fieri 75 nga 78.

Në gusht, tendenca ishte e kundërt. Në vend u regjistruan 139 aksidente rrugore, 12.6% më pak se 159 aksidente në gusht 2025. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur ra në 191 nga 229, ose me rreth 16.6%.

INSTAT raportoi se 86.3% e aksidenteve të gushtit erdhën si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 25-34 vjeç kishte peshën më të lartë, me 31.7% të totalit të aksidenteve të regjistruara gjatë muajit.

Sipas shpërndarjes në kohë, e hëna ishte dita me numrin më të lartë të aksidenteve, me 18% të totalit, ndërsa e mërkura dhe e premtja kishin peshën më të ulët, me nga 11.5%. Intervali 19:00-24:00 rezultoi më problematiku, duke përqendruar 20.1% të aksidenteve të gushtit./Monitor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds