Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Seen”, duke goditur një tjetër rast të dyshuar mashtrimi përmes platformave të komunikimit online.

Dy të rinj, E. K., 24 vjeç dhe O. B., 23 vjeç, janë arrestuar në flagrancë në momentin kur, sipas policisë, po merrnin shumën prej 100 mijë eurosh nga një 64-vjeçar.

Rasti u zbulua pas kallëzimit të këtij të fundit, i cili kishte ngritur dyshime se po mashtrohej përmes një profili të rremë në një rrjet social.

Nga hetimet e kryera rezultoi se të dyshuarit kishin komunikuar me 64-vjeçarin duke përdorur një profil të aktivizuar me të dhënat dhe kredencialet e një personi të njohur prej tij, me qëllim krijimin e besimit dhe përfitimin e shumës së madhe të parave.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, organizuan ndërhyrjen dhe i kapën dy të rinjtë në flagrancë teksa po merrnin paratë.

Sipas burimeve, dy të arrestuarit dyshohet se kanë qenë të përfshirë edhe në një tjetër tentativë mashtrimi, ku në shënjestër ka qenë presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Mësohet se personat e dyshuar kanë komunikuar me Dukën, duke iu prezantuar si Taulant Balla, me qëllim përfitimin e 100 mijë eurove në kriptovaluta.

Burimet bëjnë me dije se Duka ka dyshuar për tentativën e mashtrimit dhe ka vënë në dijeni autoritetet policore. Ai u ka thënë personave se nuk merrej me transaksione të tilla dhe i ka orientuar që të kontaktonin me djalin e tij, duke u shprehur se ai merrej me këto transaksione.

Në vijim, një agjent policie ka komunikuar me dy të dyshuarit duke u prezantuar si djali i Armand Dukës. Për të realizuar kapjen në flagrancë, agjenti u ka komunikuar se transaksioni në kriptovaluta nuk po funksiononte dhe u ka propozuar që shuma të dorëzohej në cash.

Dy të rinjtë kanë pranuar dhe kanë kërkuar që paratë të dorëzoheshin në Elbasan. Në momentin e dorëzimit të shumës, efektivët kanë ndërhyrë dhe i kanë arrestuar.

Pas arrestimit, policia ka sekuestruar telefonat e dy të rinjve, ndërsa po kryhet këqyrja e tyre për të zbardhur komunikimet dhe për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë.

Burimet bëjnë me dije se dy të arrestuarit dyshohet se i përkasin një grupi që merrej me mashtrimin e biznesmenëve.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këto raste.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds