Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në fjalën e mbajtur në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, ku priten të zgjidhen 3 anëtarë, u ndal edhe te debati për pagat e magjistratëve dhe tryeza e konsultimit të thirrur nga Kryeministri me institucionet e drejtësisë.

Sadushi theksoi se, për sa kohë ligji për pagat dhe pretendimet për kushtetutshmërinë e tij janë në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, çështja nuk mund të zgjidhet përmes një tryeze tjetër dialogu. Sipas tij, është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të japë vendimin përfundimtar dhe vendimi i saj duhet të respektohet dhe zbatohet.

“Kushtetuta nuk negociohet. As gjykimi kushtetues nuk mund të zëvendësohet nga një tryezë dialogu”, u shpreh Sadushi.

Ai sqaroi se kjo nuk nënkupton mbylljen e dialogut institucional. Sipas tij, institucionet duhet të jenë të gatshme të ulen në tryezë, të paraqesin qëndrimet e tyre dhe të diskutojnë me argumente, pa hequr dorë nga kompetencat kushtetuese.

“Prania në tryezë nuk do të thotë heqje dorë nga qëndrimet tona dhe as pranim i premisave të palës tjetër. Dialogu nuk është nënshtrim”, tha ai.

Sadushi vuri në dukje se çështja e pagave është e rëndësishme, pasi lidhet me garancitë e pavarësisë së gjyqësorit. Megjithatë, sipas tij, një dialog serioz mes pushteteve nuk duhet të kufizohet vetëm te pagat.

Ai kërkoi që diskutimi të përfshijë edhe numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, plotësimin e vendeve vakante, uljen e stokut të çështjeve, shkurtimin e kohëzgjatjes së proceseve, administratën gjyqësore, teknologjinë, infrastrukturën, sigurinë dhe financimin.

Në këtë kuadër, Sadushi propozoi një “Tryezë për funksionimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë”, si një proces institucional dhe afatgjatë mes pushteteve.

“Pushtetet janë të ndara, por shteti është një”, tha Sadushi, duke theksuar se bashkëpunimi institucional duhet të zhvillohet duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds