Debatet për reformën e re territoriale kanë sjellë përplasje mes opozitës dhe mazhorancës në Komisionin e Ligjeve.

Mbledhja e Komisionit të Ligjeve është shoqëruar me debate mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa në fokus kanë qenë si çështja e hetimit ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ashtu edhe reforma e re territoriale.

Deputetët e Partisë Demokratike kundërshtuan draftin e propozuar nga Partia Socialiste, duke kërkuar që projektligji të kthehet pas dhe të zhvillohen dëgjesa publike e referendume lokale. Sipas opozitës, ndryshimet në hartën territoriale nuk duhet të miratohen pa marrë më parë mendimin e komuniteteve.

Luçiano Boçi, Tritan Shehu, Eno Bozdo, Luan Baçi dhe Oerd Bylykbashi kritikuan procedurën e ndjekur për hartimin e draftit dhe kërkuan që procesi të shtyhet.

Në fokus të diskutimeve ishin edhe propozimet për bashkitë e Fierit dhe Durrësit. Deputetët opozitarë argumentuan se komunitetet duhet të konsultohen përpara çdo ndryshimi të ndarjes territoriale.

Kryetari i komisionit, Ulsi Manja, u shpreh se ky komision nuk mund të marrë kompetencat e Kuvendit dhe se shqyrtimi i projektligjit vijon sipas procedurave të përcaktuara.

Në përfundim të debateve, deputetët e opozitës vendosën të lënë sallën.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, u shpreh se komisioni nuk mund të marrë kompetencat e Kuvendit dhe se nisma është duke u shqyrtuar sipas rregullores së Kuvendit.

Pjesë nga diskutimi:

Luçiano Boçi: Jo çdo gjë u vjen duhet ta merrni me sy mbyllur. Ndarja territoriale shoqërohet me mendimin paraprak të popullsisë, nuk mundet mendimi të jetë pas, këtë për ironi e thotë neni kushtetues që i referohen zotërinjtë që e kanë propozuar dhe ligji për qeverisjen vendore. Ky komision duhet të mos e kishte pranuar dhe të thoshte që duhet të vijë i plotë, të plotësohet, me raportet e këshillave bashkiak, të dëgjesave publike dhe të sillet këtu. Projektligji për reformën territoriale te kthehet pas dhe te futet ne procedurën kushtetuese se s’mund të ecim në shkelje të kushtetutës. Të mbarojnë dëgjesat, të merret mendimi dhe më pas të vihet këtu. Kjo reformë nuk mund të bëhet në mënyre të njëanshme, duhet konsensus politik dhe për më tepër konsensus qytetar dhe nëse nuk realizohen këto dy kushte secili nga deputetët ka të drejtë ta refuzojë këtë.

Tritan Shehu: Nuk mund të bëhen ndryshime, maskara pa pyetur opinionin publik. Banorët po kërkojnë referendume lokale. Ti japim kohën e nevojshme konsolidimit të opinionit, të pyeten qytetarët, të organizojmë referendume lokale. Kjo që po bëhet është në kundërshtim me ligjin, është nëpërkëmbje e vullnetit qytetar.

Eno Bozdo: Nuk arritëm të dëgjojmë grupet interesit, as ekspertët. Nuk arritëm dot të dëgjojmë as komunitete që në mënyrë zyrtare i dërguan shkresë komisionit të reformës territoriale. Ne si komision i reformës territoriale nuk arritëm të mbarojmë punën tonë, ndërprerja ka qenë brutale. Ky draft nuk është produkt i komisionit, është produkt një grupi deputetësh. Jo të masakrohet harta në këtë mënyrë pa pyetur askënd. Ju kërkoj që ky projektligj të shtyhet, të mos nisë procedura për miratimin e tij.

Luan Baçi: Belinda Balluku në dëgjesën në bashkinë e Fierit me 6 bashkitë është prononcuar te mediat që qarku i Fierit nuk do të preket. Në dëgjesë s’kemi dëgjuar asnjë socialist që të dilte kundër dhe të kërkonte shkrirjen e bashkive. Doja të dija nga deputetët e Fierit, zonja Çaushi, por edhe 11 të tjerët, janë dakord që Patosi t’i bashkohet bashkisë së Fierit dhe të bëhet 1 megabashki, e paimagjinueshme për nga sipërfaqja dhe numri i popullsisë dhe problematikat. Ju flisni për dëgjesë, janë bërë dëgjesa, qytet e Patosit kanë dalë në protestë, kryetari i Patosit ka thënë që ka 1 performancë të shkëlqyer, ndryshe nga të tjerët. Ju pse merrni një veprim të njëanshëm që B. e Patosit të shkrihet? Ju duhet të pyesni këshilltarët tuaj, socialistët tuaj. Kjo që po them është zëri i qytetarëve të Patosit dhe Divjakës. Divjaka ka protestë të përnatshme. Edhe kryetari i bashkisë tuaj, me ato probleme që ka, ka dalë dhe është prononcuar. Nuk e kuptoj dot pse kjo këmbëngulje. 12 deputetë të qarkut Fier mund të rrëzojnë qeverinë, jo me një reformë territoriale që është kundër qytetarëve, kundër socialistëve. E di që nuk do të ndryshojnë gjë këto fjalët e mia, këto dëgjesa janë sepse në fund ju propozimin e kishit në sirtar nga zoti Rama dhe e nxirrni në tavolinë.

Oerd Bylykbashi: Projektligji ka ardhur në kundërshtim me ligjin për 3/5, duhet të ishte bashkë me mendimin e komunitetit, kur të vinte këtu duhet të ishte bashkë me ato qëndrime. Komisioni nuk kishte mbyllur as konsultimet. Ato konsultime janë të pamjaftueshme. Në qytetin e Durrësit ishin aq kundër, kur ngrihej ndonjë sinjal në kohën e Frontit Demokratik ngrihej, qeshte salla. Një qark si ai i Durrësit të jetë konsultuar me aq. Durrësit në 2014 i zhduket bashkia e F. Krujës, e kërkojnë sot e kësaj dite, Durrësi kishte Sukthin, Manzën, Rashbullin, Katundin e Ri e me radhë, ju i zhdukët. Kërkojnë që sot të paktën të kenë 1 bashki me qendër në Sukth, Ishmi e ka shumë larg Durrësin. Ju ia hoqët Rinasin dhe ia dhatë Tiranës, se ju duheshin lekët. Ju Krujën po e zbrazni. Po a e patë listën e shkollave që janë me 0-2 nxënës, fshatarët që kanë qenë me 400 familje nuk kanë më asnjë. Po e bëni ndryshimin pa pyetur popullsinë. Nuk ka instrument më të mirë se referendumi.

Tedi Blushi: Për të kaluar te propozimi konkret, kam 3 propozime: Ky komision të ndërpresë këtë proces antikushtetues në shkelje me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, se ka shmangur konsultimin publik. Të marrë masat për të garantuar arkitekturën e Republikës. Shteti ka rënë kryetar. Referuar edhe Rregullores së këtij komisioni që buron nga Kushtetuta. Ky komision ka gjithë tagrin që t’i kërkojë info Presidentit të Republikës në lidhje me skandalin që ka përfshirë disa institucione të sigurisë kombëtare, t’i kërkojmë Presidentit se çfarë dijenish ka ai me faktin. Sistemi gjyqësor dhe avokatët janë përfshirë në një konflikt, një rregullore ka detyruar Dhomën e Avokatisë të pezullojë seancat dhe masat e sigurisë. Ky komision s’mund të qëndrojë indiferent. Të fusim në axhendën e komisionit se çfarë masash do të marrim ne për të zhbllokuar një ngërç që po prodhon dhe do të prodhojë pasoja shumë të rënda, veçanërisht fragmentarizimit të një procesi ligjor.

Ulsi Manja: Më intereson vetëm projektligji.

Tedi Blushi: T’i hedhim në votim këto 3 propozime e të vazhdojmë mbledhjen.

Ulsi Manja: Jo. Zoti Bylykbashi, në lidhje me propozimin tuaj. I njoh mirë kompetencat e këtij komisioni dhe s’mund të marrë kompetencat e kryetarit të Kuvendit dhe as të kryetarit të Konferencës së Kryetarëve. Nisma ka qenë në dinamikë me rregulloren e Kuvendit. Ky komision ka një detyrë që të miratojë ose jo nismën në përfundim të kësaj nisme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds