Megaoperacioni “Tempulli” godet përsëri një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza. Nga kontrollet intensive në të gjithë territorin e qarkut, të mbështetura te inteligjenca policore dhe specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, u konstatua dhe u arrestua në flagrancë, në lagjen “8 shkurti”, shtetasi E. K., 30 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në automjetin e 30-vjeçarit, u gjetën një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, me qëllim shitjen, si dhe një shumë parash të dyshuara të përfituara nga shitja e tyre dhe 5 celularë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
