Një figurë e vendosur për të përfaqësuar Çerçiz Topullin në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës ka hapur debat në rrjet. Pamja e manekinit, që paraqet heroin me veshje, armë dhe dylbi, është kritikuar nga qytetarë dhe figura publike, të cilët thonë se rezultati nuk i ngjan figurës historike dhe nuk e përcjell siç duhet simbolikën e tij.

Qytetarë dhe figura të njohura publike i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës, duke kërkuar ndërhyrjen e saj dhe largimin e manekinit nga ambientet e muzeut. Sipas kritikëve, mënyra se si është realizuar figura nuk i ngjan heroit dhe, përkundrazi, e paraqet atë në një formë që është bërë objekt talljeje.

Një prej reagimeve më të forta ka ardhur nga profesori dhe gazetari Mentor Kikia, i cili ka kërkuar publikisht që manekini të hiqet.

“Hiqeni këtë dordolec”, shkruan Kikia në “Facebook”, duke argumentuar se përpjekja për të rikrijuar pamjen e Çerçiz Topullit ka përfunduar në një figurë që, sipas tij, duket qesharake, pavarësisht se janë përdorur elemente që lidhen me heroin, si veshja, dylbitë dhe pushka.

Kikia sugjeron se, nëse qëllimi i ekspozitës ka qenë paraqitja e veshjeve dhe armëve të Çerçiz Topullit, mund të ishte përdorur edhe një trup manekini pa fytyrë, në vend të një figure që synon të rikrijojë pamjen e tij.

REAGIMI I KIKISE

Hiqeni këtë dordolec!

Në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës janë ekspozuar veshjet dhe armët e Heroit të Popullit, Çerçiz Topulli.

Por manekini, të cilit i kanë veshur rrobat që mbante heroi, ka tërhequr vëmendjen për shkak se kuratorët janë përpjekur t’i japin pamjen e një shtatoreje bashkë me imazhin që i ngjan disi heroit.

Në fakt, nuk kanë krijuar as një shtatore dhe as thjesht një manekin, por një “personazh” qesharak, që mban veshjen, dylbitë dhe pushkën e heroit.

Në vend të këtij dordoleci, mund të ishin mjaftuar edhe thjesht me një trup, pa kokë, pasi qëllimi ka qenë ekspozimi i veshjeve dhe armëve, dhe jo ndërtimi i një shtatoreje të heroit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds