Prania Besnike ka vijuar aktivitetin e saj pranë qytetarëve edhe në Qarkun e Fierit, në kuadër të nismës së Partisë Socialiste për një komunikim më të drejtpërdrejtë me komunitetin. Për deputetin e Fierit, Erjo Mile, në vetëm dy javë kjo nismë ka arritur të krijojë një urë komunikimi me shqetësimet e qytetarëve, përmes një numri të lartë takimesh, ankesash dhe kërkesash.
Problematikat më të shumta kanë pasur të bëjnë me përmirësimin e investimeve në infrastrukturë dhe problemet me pronat. Interesant ka qenë fakti se qytetarët kanë sjellë edhe një sërë propozimesh, me fokus investimet për rritjen e cilësisë së jetesës.
Kjo nismë ka ardhur në kohën e duhur, thotë Mile, pasi tashmë kërkesat e qytetarëve jo vetëm që janë të shumta, por edhe më cilësore.
Nga ana tjetër, qytetarët e vlerësojnë këtë komunikim të drejtpërdrejtë, por theksojnë se ai duhet të jetë i vazhdueshëm dhe të shoqërohet me zgjidhje konkrete të problematikave.
Prania Besnike në Qarkun e Fierit, gjatë dy javëve të takimeve dhe dëgjesave me qytetarët, ka shënuar një bilanc të lartë kërkesash dhe ankesash, për të cilat qytetarët kërkojnë zgjidhje konkrete.
