Gjatë kësaj jave, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara për rritjen e sigurisë rrugore, janë proceduar penalisht 6 shtetas për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor.

Nga këta, 1 shtetas është proceduar penalisht për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa 2 shtetas të tjerë për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Të tre këta shtetas ndiqen në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht 3 drejtues mjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, të konstatuara në kuadër të aksidenteve rrugore. Nga këta, 1 shtetas është arrestuar dhe 2 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë.

Në kuadër të kontrolleve parandaluese, të organizuara me grupe kontrolli në rrugët urbane, interurbane dhe lokale, gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej:

• 772 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë, në rrugët interurbane dhe në autostradën A2;

• 29 masa administrative për mospërdorimin e rripit të sigurimit;

• 4 masa administrative për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;

• 64 masa administrative për parakalim të gabuar;

• 2 masa administrative për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit;

• 5 masa administrative për kryerjen e manovrave të rrezikshme;

• 66 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat përbëjnë burim potencial për aksidente.

Gjithashtu, janë sekuestruar 2 motomjete që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.

Policia Rrugore Fier apelon sërish për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor, si një kontribut i rëndësishëm për rritjen e sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë përdoruesve të rrugës, si dhe garantimin e një qarkullimi të sigurt, të lirë dhe pa pengesa.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *