Aksident me pasojë vdekjen e një personi në autostradën Levan–Tepelenë. Sipas informacionit paraprak të Policisë ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm, pranë vendit të njohur si “Rrethrrotullimi i Levanit”, ku dy automjete, një “Audi” me drejtues shtetasin D. B. 55 vjeç dhe një “Benz” me drejtues shtetasin G. M. 40 vjeç janë përplasur me njëra-tjetrën.
Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëmtime të rënda në automjete. Si pasojë drejtuesi i automjetit “Audi” D. B. ka humbur jetën. Trupi i viktimës është transportuar drejt morgut.
Ndërkohë drejtuesi i automjetit “Benz” si dhe tre pasagjerë që udhëtonin në automjetin “Audi” janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe dinamikën e plotë të përplasjes.
Paraprakisht dyshohet se shpejtësia tej normave të lejuara mund të ketë qenë një nga faktorët kryesorë që ka çuar në këtë aksident fatal duke e bërë të vështirë kontrollin dhe manovrimin e mjeteve.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për mbledhjen e provave dhe dëshmive në vendngjarje, ndërsa pritet që ekspertiza të përcaktojë me saktësi shkaqet dhe përgjegjësitë për aksidentin tragjik.
